Psikologe Arta Naçi
Keshillime Klinike

Kush është treguesi i mirëqënies së një populli ?

Mirëqënia  është  një  temë  që  studiohet  nga  shumë  disiplina  si  psikologjia, sociologjia, filozofia, politika , ekonomia, urbanistika  e  plot  të  tjera.

Disa  vite  më  parë  për  ish  presidentin  e  Uruguajit  José  Mujica  mirëqënia  ishte  një  koncept  tërësisht  i  lidhur  me  ndjesitë  me  emocionet  pra  me  lumturinë. Ai  mbajti  një  fjalim  shumë  interesant  në  një  Konferencë  të  UN  në  Rio  de  Janeiro. Diskutimi  i  tij  preku  shumë  aspekte , por  në  përgjithësi  tërhoqi  vemendjen  mbi  konsumizmin  e  tepruar…  “Nuk  kemi  ardhur  në  këtë  botë  për  suksese  dhe  arritje…por  për  t’u  përpjekur  të  jemi  të  lumtur, sepse  jeta  është  shumë  e  shkurtër  dhe  shpejt  duhet  të  largohemi . Asnjë  e  mirë  materiale  nuk  vlen  sa  jeta  jonë. Kjo  më  duket  elementare “…tha  mes  të  tjerash  ai .

Me  qëndrimin  e  tij  Presidenti  i ftoi  të  gjithë  të  reflektonim  mbi  faktin  se  nuk  kemi  ardhur  në  jetë  për  të  akumuluar  pasuri  të  kota , por  për  të  jetuar  të  lumtur. Edhe  pse  në  rolin  e  një  përfaqësuesi  politik  Presidenti  propozoi: “në  vend  që  ta  masim  nivelin  e  zhvillimit  të  një  vendi  nëpërmjet  indikatorëve  ekonomik  të  prodhimit  bruto, ndoshta  është  rasti  të  përdorim  tregues  të  mirëqënies  shpirtërore ; pra  lumturinë. “

Kohë  më  parë  treguesi  i  mirëqënies  ishte  i  përcaktuar  ekskluzivisht  nga  prodhimi  i  brëndëshëm  bruto (term  jo  shumë  simpatik  ky).Për  fat, tashmë  janë  krijuar  dhe  tregues  të  tjerë  si  të  ardhurat  për  frymë, punësimi, shkollimi, shtëpia, ekuilibri  punë – jetë , mjedisi , shëndeti, impenjimi  qytetar  etj.

Kur  në  një  sondazh   u  pyetën  njerëzit  se  kush  ishte  faktori  kryesor  i  mirëqënies  së  tyre , përgjigjet  që  mbizotëronin  ishin : familja  e  ndjekur  nga  shëndeti  fizik  dhe  mendor  dhe  në  vend  të  tretë  nga  mardhënia  në  çift. Këto  rezultate  nuk  janë  surprizuese , sepse  në  shumë  studime  psikologjike  janë  pikërisht  raportet  interpersonale  burimi  kryesor  i  lumturisë.

Faktorët  ekonomikë  sigurisht  që  janë  të  rëndësishëm  dhe  krizat  në  ekonomi  nuk  lumturojnë   askënd, por  ti  konsiderojmë  përcaktues  të  mirëqënies  tonë  është   pak  e  ekzagjeruar. Përse ? Edhe  një  herë  Presidenti  Mujica  na  ndriçon : “I  varfër  nuk  është  ai  që  ka  pak ; i  varfër  është  ai   që  ndjen  gjithmonë  nevojën  të  ketë  më  shumë  se  ç’ka  dhe  që  dëshiron  akoma  dhe  më  tepër “.(mësime  të  herëshme  këto  që  nga  Epikuri  dhe  Seneka)….Pra  nuk  duhet  të  gabojmë  duke  ngatërruar  mirëqënien  me  pasurinë, me  mundësinë  për  të  blerë, me  dëshirën  për  të  patur  më  shumë  edhe  pse  ajo  që  kemi  na  del  e  na  tepron.

Sipas  vleresimit  të  një  psikoanalisti  të  shquar  të  kohëve  tona  ne  jetojmë  në  një  botë “ pa  kripë”, të  lirë  për  të  patur  gjithçka. Duam  një  lloj  çante  e  blejmë , një  shtëpi  tjetër, një  makinë  më  të  shpejtë  dhe ( meqenese  jemi)  pse  jo  edhe  një  të  dashur….por  kjo  nuk  është  të  dëshirosh:  ky  është  KOMPULSION.  Eshtë  motorri  prepotent  i  palumturisë  sepse  të  rikthen  gjithmonë  në  pikën  e  nisjes.

(psikologjia  për  të  gjithë )                                                                         23/nëndor/2016

Gjithashtu mund të pëlqeni dhe