Psikologe Arta Naçi
Keshillime Klinike

Të mirat psiko – fizike kur përdorim dy rrotakshin !

Një  mjet  transporti  i  shkëlqyer  biçikleta. Ndodh mbi biçikletë emancipimi  ynë i parë i vërtetë kur jemi  fëmijë , kur zbulohet kënaqësia e erës në fytyrë, e  lirisë, e  autonomisë dhe e garës së shëndetëshme  me  moshatarët. E  gjitha  kjo; jo, pa  rrëzimet  e  shumta  dhe  gjunjët  e  bërrylat  e grricur dhe gjakosur.( rrëzimet më të këqija që kujtoj janë  “përqafimi“ i shtyllës elektrike (fatmirësisht ) prej druri dhe humbja e ekuilibrit nga  padurimi dhe dëshira për të hypur te skara e biçkletës dhe bërë xhiro një fëmije më të vogël në moshë , pa e  mësuar ende mirë vetë .♥♥

Historiku i biçikletës është shumë tërheqës që nga origjina e saj e deri më sot. Nuk jemi shumë të sigurtë se  cilët  janë shpikësit e saj .Kjo sepse dhe burimet nuk janë të dokumentuara  mjaftueshëm. Thuhet  se  biçikleta  është  përdorur  fillimisht  në  Indi  dhe  Egjipt. Të  tjera  burime  thonë  që  shpikja  e  saj  është  një  gjenialitet  i  kinezëve . Gjithësesi  biçikleta  e  parë  u  projektua  në  1861  nga  Parisienët  Pierre  &  Ernest  Michaux  (babë  e  bir). Ata  ndërtuan  një  mjet  interesant  i  gjithi  prej  druri; dy  pedale, dy  rrota, ajo  e  përparme  shumë  e  madhe , e  pasmja  e  vogël. Sipër  rrotës  së  madhe  ishte  fiksuar  shala  për  tu  ulur  personi  që  do  ta  ngiste. Me  këtë  lloj  biçiklete  rudimentale  që  u  quajt  « vélocipède »  nuk  ishte  e  mundur  të  përshkoheshin  rrugë  shumë  të  gjata. Janë  shumë  të  nevojshme  modifikime  teknike  të  cilat  nuk  vonojnë  të  mbërrijnë.

Emri «vélocipède » ka mbërrit edhe tek ne. Dikur në Tiranën e vjetër  e quanin kështu  biçikletën. Kuptohet që ne i pershtasim dhe i shqiptojmë fjalet e huaja sipas “standarteve” tona dhe asokohe degjoje; – Ka ik  me “filispit”, ose ma jep içik “filispitin” tat  der ke pazari i Ri… pra ku fjala “filispit” ishte për vélocipède.” 

A  ekziston  një  mjet  tjetër  transporti  kaq  popullor , kaq  ekologjik , kaq  i  mirë  për  shëndetin , kaq  ekonomik , kaq  shumë  i  përdorur, kaq i  dashur  nga  të  gjithë ? Për  më  shumë  se  një  shekull e  gjysëm  biçikleta  na  ka  shpënë  gjithandej  dhe  na  ka  lejuar  të  shijojmë  peisazhin  përreth  me  “ shpejtësinë  e  duhur ”.

Në  bazë  të  një  studimi  mbi  cilësinë  e  jetës  një  shoqatë  grash  thirri  një  grup  të  madh  psikologësh (200) të  shprehnin  mendimin  e  tyre  për  përdorimin  e  biçikletës. Një  nga mënyrat  më  të  vlefshme  kundër  stresit  psiko – fizik   është  pikërisht  biçikleta , nënvizojnë  ata. Të  ecësh  me  biçikletë  është  një  e  mirë  për  trupin  dhe  mendjen  që  përmirëson  dhe  kualitetin  e  raporteve  interpersonale.  43 %  e  psikologëve  të  intervistuar  tha  se  përdorimi  i  biçikletës  është  një  aktivitet  i  shëndetshëm  pikërisht  sepse  stimulon  përqëndrimin  dhe  favorizon  eleminimin  e  mendimeve  negative  dhe  tensioneve  që  grumbullohen  në  trup  nga  jeta  e  përditëshme. Sipas  psikologëve  ky  tip  aktiviteti  është  pozitiv  jo  vetëm  për  mendjen  dhe  psiqikën, por  edhe  për  jetën  në  çift. Ata  spjeguan  se  shëtitjet  me  biçikletë  sëbashku, lehtësojnë   komunikimin  brenda  çiftit  duke  sjellë  qetësi  dhe  harmoni. Kështu  që, një  shëtitje  e  bukur  me  biçikletë  me  fëmijët  dhe  partnerin  stimulon  dialogun  dhe  ndihmon  gjetjen  e  ekuilibrit  në  raportet  interpersonale.

“ ….Mbi  biçikletë  kemi  thurur  ëndërra, kemi  mbajtur  miq  e  shokë , të  vegjëlit,  kafshë, letra, të  dashurit/rat, gratë, burrat, librat  dhe  gjithçka  tjetër  që  mund  të  ngarkohet  mbi  të …“ Me  biçikletë  kemi  shëtitur,  jemi  lodhur, jemi  kënaqur “..

“ Ç’do  herë  që  shikoj  një  të  rritur  që  ecën  me  biçikletë,  mendoj  se  për  rracën  njerëzore  ka  ende  shpresë “ H.George Wells.

(psikologjia  për  të  gjithë)                                                

Gjithashtu mund të pëlqeni dhe