Psikologe Arta Naçi
Keshillime Klinike

Narcizismi ka arritur kulmin ! Sa “followers” kam ??

Historinë  e  Narcizit  që  pa  veten  të  pasqyruar  në  ujë  dhe  u  dashurua  marrëzisht  pas  imazhit  të  tij  dhe  duke  u  zgjatur  për  ta prekur  dhe  shtrënguar  ra  në  ujë  e  u  mbyt; besoj  e  kujtoni  të  gjithë. Aty  në  breg  ku  i  riu  humbi  jetën , mbiu  një  lule  që  mori  emrin  e  tij.

Në  psikologjinë  e  epokës  dixhitale  një  nga  temat  më  të  shpeshta  ështe  ajo  e  Narcizismit. Që  nga  fundi  i  viteve  70  Christopher  Lasch  shpjegoi  se  si  jeta  jonë  do  të  kthehej  në  një  individualizëm  të  përhapur në të gjitha nivelet; e  vetmja  gjë  që  nuk  parashikoi  dot  ishte  “sindroma  selfie  apo  Instagram”. Në  2007  Jean  Twenge  psikologe  e  Universitetit  San  Diego , i  pagëzoi  të  rinjtë  e  Amerikës  me  emërtimin Gjenerata  e  Unit” . Që  nga  1980  e  deri  më  sot  “epidemia  narcizisëm”  është   shtuar  me  të  njëjtin ritëm si  obeziteti. Edhe  në  Europë  një numër  i  madh  studimesh  e  përshkruan  Narcizismin  si  një  lloj  metafore  bashkëkohore. “Unë , unë , unë”,…  është  një  triumf  ngado,  në  TV, në  gazeta, në  web, në  jetën  e  përditëshme.

                                                     Eshte  një  alarm social

Eshtë  tërësisht  e  dukshme  që  teknologjia  funksionon  si  instrument  për  vetevleresimin  personal  dhe  sasia e  “like” – ve  dhe  e “follower”  mat  shkallën  e  kënaqësisë  për  të  interesuarin.  Psikologët  janë  të  shqetësuar  sepse  kjo  “epidemi  Narcizismi”  pengon  zhvillimin  korrekt  të  ndjenjave  dhe  emocioneve. Kemi  të  bëjmë  me  një  proces  ç’personalizimi  që  duket  sikur  nuk  i  vë  fre limiteve  njerëzore.  Po  ushqehet  një  botë  iluzioni  dhe  joreale  e  karakterizuar  nga  një  preokupim  i  ekzagjeruar  për  imazhin  dhe  përdorim  të  trupit  si  fetish. Pikërisht  në  pamundësinë për  të  përcaktuar  limite  të  rinjtë  modern , si  Narcizi  i  gjorë mbeten  në  kurthin  e  imazhit  të  vetes,  të  hipnotizuar  nga  “bukuria”  e  tyre ,  të  përhumbur  mes  selfie – ve  dhe  like – ve  pa  mundur  dot  të  njohin   thellësisht  veten. Për  të  shtuar  këtu  dhe  faktin  që  identitetin  tonë  e  ndërtojme  vetëm  nëpërmjet  kontaktit  me  tjetrin. Duke  patur  vetëm  raporte  virtuale  dhe  me  instrumenta  teknologjike  ndërtojmë  një  identitet  të  bazuar  në  iluzion,  identitet  të  thyeshëm,  ndoshta  të  bukur , por  të zbrazët….

                                                         Edhe Lusy ka tipare Narcistike

Po Lusy (personazhia  vizatimore  te  Peanuts ), vajza  thartiçkë, e  sertë, hiperkritike  dhe  zevzeke  ju  kujtohet ?  Po, po… Lusy  që  i  drejtohej  mikut  Charlie  Brown  me  ton  përçmues  dhe  gjithë  sarkazëm  për  ta  bërë  të  dukej  qesharak  për  dobësitë  e  tij. Lusy  edhe  për  të  vëllanë  e  saj  Linus  nuk  ka  pothuajse  fare  empati dhe  nuk  i  bëhet  vonë  që  e  lëndon  me  sjelljen  e  saj. Ajo  eshtë  tejet  e  zënë  duke  kërkuar  që  të  tjerët  ta  admirojnë,  të  konfirmojnë  që  është  e  bukur  dhe   inteligjente  me  qëllim  që  të  forcojë  idenë  e  madhështisë  për  veten. E  për  më  tepër  është  e  pandjeshme  ndaj  kritikave   dhe  gjykimeve  të  të  tjerëve  dhe  preferon  më   shumë  të  japë  këshilla  se  sa  të  marë.

Ka  shumë   tipare  të  karakterit  të  Lusy – it  që  duket  se  shkojnë  drejt  një  çrregullimi  narcistik  të  personalitetit, por  gjenialiteti  i  autorit  Schulz  dhe  aftësia  e  tij  për  të  shpalosur  tipare  të  tilla  në  një mënyrë  dëfryese  dhe  plot  ironi  na  bën  gjithsesi  të  provojmë  një  farë simpatie  për  të. Kjo  simpati  që  të ngjall  bën  që  t’a “shpëtojmë “ nga  diagnoza  që  i  kanë  vënë  më  sipër. Aq  më  teper  që  mburrjet  dhe  vetëlëvdatat  që  ajo  i  atribuon  vetes  janë  gjeniale : E  diagnostikova  jetën  time  dhe  e  gjeta  pa  asnjë  kleçkë. Prandaj  do  organizoj  një  ceremoni  në  të  cilën  do i  jap  vetes  një   medalje…Më  pas  do  mbaj  një  fjalim  vetëmirënjohës …dhe  pastaj  do  shkoj  të  vetëfalenderoj  veten  time…. Eh..kështu  është  kur  je  perfekte , duhet  ti  bësh  të  gjitha  vetë !!

Gjithashtu mund të pëlqeni dhe