Psikologe Arta Naçi
Keshillime Klinike

Katër qirinjtë dhe Vazo e Pandorës !

Nuk  ka  rëndësi,  kush  jemi,  çfarë  na  ka  ndodhur,  çfarë  na  kanë  mësuar;  ajo  që  ka rëndësi  : është  të  mos  lejojmë  kurrë  askënd  të  na  rrëmbejë  shpresën !!

Ajo  që  ka  rëndësi   është  të  mos  harrojmë  kurrë  rëndësinë  e  ëndrrave ,  dëshirave  e  aspiratave  dhe  mbi  të  gjitha  të  rikujtojmë  mitin  e  vazos  së  Pandorës :

“Kur   Pandora   u  tregua  e  pabindur,  të  gjitha  ndjenjat  negative  dolën  nga  vazo   dhe  u  bënë  pjesë  e  njerëzve :  pleqëria,  xhelozia,  sëmundjet,  çmënduria  dhe  veset,  nga  të  cilat  lindën  inati,  frika,  ankthi,  dhuna….deri  sa  erdhi  momenti  kur  doli  dhe  ndjenja  që  kish  mbetur  e  fshehur  në  fund  të  vazos ; Doli  “ Elpis / “ Shpresa “.!  Për  këtë   arsye  thuhet : “Spes  ultima  dea “ –  “ Shpresa  vdes  e  fundit ” !…

Për  të  respektuar  kronologjinë , tregimi  i  mitologjisë  së  lashtë  për  vazon  që  mbante  brënda  të  gjitha  të  këqijat  me  Pandorën  kurioze  që  e  hapi  për  të  parë  ç’kishte  brënda  saj, meriton  të  jetë  i  pari  në  rradhë. Shumë  kohë  më  pas  kësaj  legjende  vjen   historia  e   katër  qirinjve  që  digjeshin   ngadalë  dhe  ndjeheshin   të  padobishëm  sepse  askush  nuk  e  vlerësonte   dritën  dhe  ngrohtësinë  e  tyre.

“Katër  qirinjtë  po  digjeshin  ngadalë.  Dhoma  ishte  aq  e heshtur  saqë  mund  të  dëgjohej  se çfarë  pëshpërisnin  mes  tyre.

I  pari  ndër  qirinjtë  tha:

“Unë  përfaqësoj  Paqen , por  njerëzit  nuk  më  duan. Mendoj  se  nuk  më  ngelet  gjë  tjetër  për  të  bërë  kështu  që  po  fikem”. E  kështu  ndodhi…. dalëngadalë   qiriu  e  la  veten  të  shuhej  i  gjithi.

Qiriu  i  dytë  tha:

“Unë  jam  Besimi  por  fatkeqësisht  nuk  vlej  për  asgjë. Njerëzit  nuk  duan  t’ia  dinë  për mua dhe  nuk  ka  arsye  pse  të  rri  ndezur. Sapo  përfundoi  së  foluri,  një  puhizë  e  lehtë  fryu  dhe e fiku.

I  mbushur  me  trishtim  qiriu  i  tretë  thotë:

“Unë  jam   Dashuria,  nuk  kam  forcë  të  qëndroj  ende  e  ndezur. Njerëzit  nuk  më  konsiderojnë  fare  dhe  nuk  e  kuptojnë  rëndësinë  time.  Shpesh  herë  preferojnë  të  urrejnë !” Dhe  pa pritur  gjatë  qiriu  e  la  veten  të  fikej.

Në  këtë  moment  në  dhomë  hyn  një  fëmijë  i  vogël  dhe  sheh  3  qirinjtë  e  fikur…” Çfarë  bëni  kështu ! –  Ju  duhet  të  qëndroni  të  ndezur,  unë  kam  frikë  nga  errësira  dhe  shpërtheu  në  të  qara.

Atëherë  qiriu  i  katërt  i  prekur  thellë  thotë:

“Mos  ki  frikë, mos  qaj ; deri  sa  unë  të  jem  i  ndezur  kemi  mundësinë  ti  ndezim  përsëri  edhe  tre  qirinjtë  e  tjerë; Unë  jam  Shpresa “…. Me  sytë  e  përlotur  e  të  fryrë  nga  të  qarët , fëmija  mori  në  dorë  qiriun  e  shpresës  dhe  ndezi  gjithë  të  tjerët.  (Paulo Coelho)

Që  gjithkush  nga  ne  të  mundë  të  jetë  në  gjëndje  që  me  shpresën  e  tij  të  rindezë , besimin,  paqen  dhe  dashurinë !!

(Tregime terapeutike)

Gjithashtu mund të pëlqeni dhe